Policia e qarkut Korçë ka sekuestruar 39 kamera që ishin vendosur paligjshmërisht nëpër pallate, rrugë dhe objekte të ndryshme. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, janë vendosur 9 shtetas, nga këta, 7 në Korçë dhe 2 shtetas në Pogradec
Strukturat hetimore të DVP Korçë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional të koduar “Fijet”, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e tyre, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Gjatë fazës së pestë të këtij plani operacional, në Korçë, në lagjet nr. 2, 4, 5, 7, si dhe në fshatin Dishnicë, Korçë, janë çmontuar 21 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit Z. M., A. Q., G. Ç., R. S., Gj. R., P. B. dhe M. D.
Plani operacional ka vijuar dhe në Pogradec ku u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen nr. 1, Pogradec. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit A. B. dhe N. Ll.
Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.



