Një 45-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pak orë pasi dyshohet se ka vjedhur me forcë një shumë parash në një farmaci në lagjen nr. 12 të qytetit.
Operacioni i koduar “Reagimi” u finalizua pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit nga punonjësja e farmacisë, e cila denoncoi se një shtetas kishte marrë me forcë një shumë parash nga ambientet ku ajo punonte.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës identifikuan dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin Gentian Gjyzeli, 45 vjeç, banues në Durrës.
Nga verifikimet rezultoi se 45-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, ishte aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga gjykata për të njëjtën vepër penale, por kishte shkelur këtë masë.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar raste të tjera të mundshme vjedhjesh ku mund të jetë përfshirë shtetasi G. Gj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.



