
<p>Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas ekstradimit të shtetasit rus, Igor Kokunov. Moskoordinimi i institucioneve dhe dorëzimi i tij nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve 1 orë e 35 minuta më parë se orari i parashikuar në Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, ka sjellë si pasojë sipas Komitetit të Helsinkit, shkeljen e disa ligjeve dhe konventave.</p> <p>Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se <em>“m</em><em>osezkekutimi i vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese e ka cenuar jo vetëm të drejtën për një proces të rregullt ligjor por edhe procesin e mbrojtjes që shteti shqiptar duhet t’i ofrojë shtetasve të huaj që ekstradohen, kur ata pretendojnë se në vendet e origjinës (vendi kërkues) do i nënshtrohen torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Kjo bie ndesh me garancitë procedurale të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ndalon në terma absolutë torturën dhe trajtimin çnjerëzor”</em>.</p> <p>“Gjykata Kushtetuese duhet të bënte çdo përpjekje që ky vendim jo vetëm të dërgohej me email, por edhe t’i komunikohej në kanale të tjera zyrtare autoriteteve të cilave ai iu drejtohet, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Interpolit në Policinë e Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Avokaturës së Shtetit (qoftë edhe me anë të telefonit zyrtar). I gjithë zinxhiri i aparatit shtetëror të këtyre institucioneve duhej të vendosej në lëvizje menjëherë, që ekstradimi i shtetasit rus të mos ndodhte, nëse ai ndodhej në territorin shqiptar në kohën kur atyre iu është komunikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.</p> <p> </p>



