Vijon situata e zjarrit në Fushë-Lajë, në pyjet e Malit të Tërbunit, në territorin e Bashkisë Pukë.
Zjarri po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse të angazhuara në terren, nën koordinimin e Prefektit të Qarkut Shkodër dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Prej disa ditësh, në operacion janë angazhuar strukturat e MZSH Pukë dhe shërbimit pyjor. Në mbështetje të tyre janë përfshirë edhe punonjës të shërbimeve vendore, banorë e vullnetarë të zonës, si dhe efektivë të MZSH Fushë-Arrëz.
Për shkak të terrenit të thyer malor, temperaturave të larta dhe erës, si dhe përkeqësimit të situatës gjatë dy ditëve të fundit, në operacion janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, nën koordinimin e Prefekturës së Shkodrës dhe AKMC-së.
Autoritetet bëjnë me dije se nuk rrezikohen banesa nga zjarri.



