Edhe 3 vatra të tjera zjarri janë aktivizuar së fundmi në Shqipëri, ndërsa temperaturat e larta kanë shkaktuar një paralizë në të gjithë Europën. Në fshatin Zogjë të Dibrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu. Në fshatin Zvërrnec të Vlorës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. i pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe pisha si dhe një kabinë elektrike që ndodhej afër zjarrit pësoi dëme materiale.
Në fshatin Malasenj të Elbasanit, ka rënë zjarr tek një hotel, i cili nuk ka krijuar dëme. Shumicën e rasteve zjarret janë aksidentale por nuk përjashtohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme, për hapjen e kullotave të reja. “Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.
Ndërkaq, në vende të tjera situata është thuajse kaotike. Të paktën pesë persona vdiqën në kryeqytetin bullgar, për shkak të një vale të fortë të të nxehtit që ka prekur vendin, nga temperaturat që arrijnë deri në 44 gradë Celcius. Autoritetet në Toskana të Italisë kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Këshilli i Qarkut, bashkitë dhe strukturat shëndetësore të cilët do të duhet të paraqesin brenda 30 ditësh, një plan të veçantë ndërhyrjesh, me qëllim minimizimin e efekteve të mungesës së ujit.
Ndërkohë, Greqi meteorologët thonë se këto temperatura nuk ishin regjistruar që prej 10 vitesh, ndërsa terometri ka shënuar mbi 45 gradë në disa vende. Athina dhe Selaniku janë dy qytetet ku ndihet më shumë nxehtësira dhe thatësira. Mijëra qytetarë kanë vendosur të pushojnë në bregdet këtë fundjavë, teksa në disa rrugë kryesore është shënuar trafik i rënduar. Sipas parashikimeve temperaturat e larta do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së diel, teksa pritet një përmirësim të hënën.
Në Rumani, autoritetet kanë ngritur alarmin për dhjetëra qytete në të gjithë vendin, pasi temperaturat pritet të shkojnë deri në 40 gradë celsius. Sipas administratës kombëtare të motit, në qytete si Oltenia dhe Muntenia, termometri do të shënojë 40 gradë, më e larta e regjistruar ndonjëherë në të gjithë rajonin. Ndërkohë, në 48 orët e fundit, vetëm në Bukuresht, më shumë se 1400 persona janë transportuar me ambulancë në spital për shkak se kishin probleme shëndetësore nga i nxehti.



