Një aksident i rëndë është regjistruar sot në Qafë Thanë, ku është përfshirë autobusi që transportonte ekipin e vajzave të Skënderbeut në volejboll.
Vajzat po udhëtonin drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të kampionatit kundër Tiranës.

Gjatë udhëtimit, autobusi është përplasur dhe ka përfunduar buzë një kanali. Si pasojë, disa nga sportistet kanë pësuar dëmtime fizike dhe janë traumatizuar.
Mësohet se një prej vajzave ka marrë dëmtime në hundë, ndërsa të tjera kanë pësuar lëndime të lehta. Menjëherë pas aksidentit, ambulanca ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe vajzat janë transportuar drejt spitalit për mjekim.
Për shkak të ngjarjes, ndeshja finale mes Tiranës dhe Skënderbeut është shtyrë, në pritje edhe të një njoftimi zyrtar nga Federata Shqiptare e Volejbollit.



