
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet që autoritetet greke po kryejnë për zbardhjen e vrasjes së 35-vjeçarit shqiptar, Marius Dhiamandi. I riu me origjinë nga Delvina u vra disa javë më parë në Greqi tesa qëndronte në karburantin në pronësi të tij. I plagosur rëndë mbeti kushëriri i tij. Të mërkurë, mediat greke shkruajnë se shtetasi shqiptar ishte “klient” i qarkut të helenizimeve të paligjshme, që pajisnin me dokumente greke kriminelë kundrejt shumave që varionin duke filluar nga 30 mijë euro.
“Viktima (shqiptari) kishte marrë identitet të rremë dhe është greqizuar si emigrant nga një vend i ish-Bashkimit Sovjetik”, shkruan Prothothema.
35-vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm penal. Sipas mediave greke, grupi kriminal që prodhonte dokumentet false greke është goditur ditën e djeshme. Autoritetet greke kanë konfiskuar mbi 600 mijë euro, ndërsa vetëm në kasafortën e një prej pjesëtarëve që ishte truri i rrjetit, janë gjetur 320 mijë euro.
Organizata thuhet se ka funksionuar që nga prilli 2013. Në total, sipas hetimeve të deritanishme, në organizatën kriminale ka prova se janë përfshirë 34 punonjës policie. Rrjeti kishte krijuar një rrjet tjetër bashkëpunëtorësh dhe ishte aktiv në dhënien e kartave (zakonisht) greke të identitetit, pasaportave greke dhe patenta shoferësh për shtetas të huaj me precedentë të rëndë kriminalë, që kërkonin fitimin e pronave të paligjshme.



