
Një aksident ka ndodhur sot në aksin Zejmen-Tale në Lezhë, ku dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën. Korrespondenti i MCN Tv mëson se për pasojë ka humbur jetën shtetasi Ndue Llezhi, 79 vjeç, banues në Mirditë. Në spital ndodhet djali i të ndjerit, Frederik Lleshi, 53 vjeç, një nga drejtuesit e mjeteve të përplasura. Ndërkaq, "blutë" arrestuan në flagrancë drejtuesin e makinës tjetër Geljdis Ndoj. Në njoftim thuhet: "Në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor Zejmen - Tale, në vendin e quajtur "Ura e Prekanit", shtetasi G. N. 19 vjeç, banues në Kurbin, duke drejtuar automjetin e tij, është përplasur me automjetin e drejtuar nga shtetasi F. Ll. 53 vjeç, banues në Mirditë dhe pasagjer shtetasi N. Ll. 79 vjeç, banues në Mirditë. Për pasojë ka humbur jetën shtetasi N. Ll. si dhe ndodhet në spitalin e Traumes në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore shtetasi F. Ll. Drejtuesi tjetër shtetasi G. N. është arrestuar në flagrancë për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor". Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore".



