Një aksident është regjistruar në “Rrugën e Lumit”, përgjatë shëtitores në qytetin e Beratit.
Sipas informacioneve paraprake, një 35-vjeçar që po qarkullonte me motor me shpejtësi në këtë segment rrugor ka përplasur në vijat e bardha një turist holandez, shtetasin V.J., 53 vjeç.
Ky i fundit po kalonte rrugën së bashku me një grup turistësh.
I plagosuri është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, efektivët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Berat kanë kryer veprimet hetimore në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në polici drejtuesin e motorrit, 35-vjeçarin B.M., banues në Berat.
Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.



