Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Objektivi”, duke zbardhur 6 raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje, të dyshuara të kryera nga një shtetas gjatë dy ditëve të fundit dhe përgjatë vitit 2025.
Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e vjedhur, veshje që dyshohet se ka përdorur 43-vjeçari, gjatë kryerjes së vjedhjeve, dhe sende të forta që ai përdorte për hapjen e dyerve.
K. M., 43 vjeç banues në Tiranë, i dyshuar si autor i 6 rasteve të vjedhjes/tentativës për vjedhje, konkretisht dyshohet se
-më datë 21.01.2026, dyshohet ka vjedhur me thyerje, një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e postës shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në filialin e një banke;
-në datat 09.10.2025 dhe 26.11.2025, ka vjedhur shuma parash dhe produkte, në 4 lokale në zona të ndryshme në Tiranë.
Gjatë kontrollit në banesën e 43-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje që dyshohet se ai i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe sende të forta që përdorte për hapjen e dyerve.
Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



