
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtarin, Guximtar Boçi.
KPK zhvilloi sot seancën për shpalljen e vendimit për gjyqtarin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Guximtar Boçi.
Gjyqtari, Guximtar Boçi doli para trupës gjykuese të Vetingut për vlerësimi e ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional.
Gjyqtari Boçi, i pezulluar prej vitit 2016 pas publikimit të një audio-skandali, u përball të mërkurën 4 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për audio-regjistrimin dhe për një apartament në Tiranë në pronësi të bashkëshortes, pasuri për të cilën ajo deklaron se zotëron ½-ën të trashëguar nga babai i saj i ndjerë.
Gjyqtari në vitin 2016 u bë i njohur pas publikimit të një audio-përgjimi, ku i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë.
Trupa Gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj pasi analizoi provat dhe faktet vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Guximtar Boçi.
Guximtar Boçi e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.



