
21 tetori do të jetë dita kur Gjykata Administrative e Apelit do të zhvillojë seancën, për të shqyrtuar ankimimin e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, Lulzim Alushaj. Shkak për shtyrjen e seancës, e cila ishte planifikuar të mbahej të mërkurën e 16 tetorit, u bë mosparaqitja e një prej anëtareve të trupës gjykuese.
Lulzim Alushaj, i cili vjen nga radhët e avokatisë, kërkon shfuqizim e vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e skualifikoi për shkak të mospërmbushjes së periudhës së detyrueshme të përvojës në fushën e jurisprudencës prej 15 vjetësh dhe anulimin e të gjithë procedurës për verifikimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm.
Për kreun e ri të organit të akuzës në garë janë: Arta Marku, aktualisht drejtuese e përkohshme, Olsian Çela nga radhët e Prokurorisë për Krime të Rënda, dhe Fatjona Memçaj nga Prokuroria e Apelit të Tiranës.
Shtyrja e metodologjisë së pikëzimit për tre kanidatët e sipërpërmendur në garën për Prokruror të Përgjithshëm si dhe shtyrja e seancës gjyqësore për kandidatin e skualifikuar, Lulzim Alushaj po mbajnë “peng” procesin për listimin e kandidaturave, që do t’i dërgohen Kuvendit për të zgjedhur kryeprokuorin e ri me mandat 7-vjeçar.



