
Një person është vënë në prangat e policisë lidhur me aksidentin me pasojë vdekjen të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, ku humbi jetën një i mitur.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Sarandë-Ksamil”, policia njofton se në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për këtë rast, specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin Elidon Aliu, 20 vjeç, banues në Sarandë.
I ndaluari akuzohet se duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka goditur automjetin tip “Lancia”, që po shtyhej nga disa shtetas, për shkak se kishte pësuar defekt.
Për pasojë humbi jetën në spital, njëri nga këta shtetas, Enkelejd Çaushi, 15 vjeç, si dhe mbeti i dëmtuar drejtuesi i automjetit “Lancia”, shtetasi Devid Çepe, 24 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.



