
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza është zgjedhur me 9 vota Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Në këtë post ishin në garë katër kandidatë: Alfred Peza, Laureta Roshi, Enri Mehmeti dhe Helidon Haliti. Kandidatët shpalosën para Këshillit Drejtues platformat e tyre për pozicionin për kandidimin, ndërsa 15 minuta të tjera iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Këshillit. Pas një votimi të fshehtë, Këshilli Drejtues zgjodhi Alfred Pezën si Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së. Zgjedhja e tij erdhi pasi dy muaj më herët Enkelejd Joti dha dorëheqjen nga ky post, i cili u emërua më pas në postin e zëvendës-ministrit të Mbrojtjes. Joti pasoi në këtë detyrë ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkak të pabarazisë në tendera.



