
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimeve, kanë zhvilluar një operacion me kontrolle të shtuara në disa zona të qytetit të Vlorës.
Aksioni është përqendruar kryesisht në lagjen “Çole”, në zonën e Transballkanikes dhe në “Ujin e Ftohtë”.
Gjatë operacioneve në terren, efektivët e policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj automjeteve të dyshimta, personave që lëvizin në këto akse, si dhe në ambiente të ndryshme të zonës.
Sipas raportimeve në media, këto kontrolle synojnë identifikimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale në qytetin bregdetar.
Ndërkohë, aksioni i strukturave policore vijon në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë.
