
Policia e Korçës ka njoftuar arrestimin e një 28-vjeçari për shitje lënde narkotike të dyshuar kanabis, në doza, në qytetin e Bilishtit.
Përveç arrestimit të 28-vjeçarit me inicialet E.M., është proceduar në gjendje të lirë edhe një 22-vjeçar me inicialet A.B., i cili dyshohet se ka blerë një sasi kanabisi nga i arrestuari.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, zhvilluan operacionin policor të koduar “Dozat”, si pjesë e përpjekjeve për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së narkotikëve në doza në zonën e Bilishtit.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E.M., 28 vjeç, banues në Bilisht, i cili shiste lëndë narkotike të dyshuar kanabis në qytet.
Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A.B., 22 vjeç, banues në Hoçisht, Devoll, pasi dyshohet se kishte blerë lëndë narkotike nga E.M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".



