
Një avion i kompanisë ajrore, Air Montenegro, ka kryer një mision evakuimi të suksesshëm, duke kthyer dhjetëra udhëtarë nga Izraeli dhe vende të tjera të rajonit në Podgoricë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Në njoftimin e tyre zyrtar theksohet se 101 pasagjerë nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Serbia dhe Suedia kanë mbërritur në Podgoricë.
Kjo mision evakuimi është ndërmarrë pas një fluturimi të mëparshëm të avionit “embraer 195”, i cili kishte dërguar 116 turistë izraelitë në Mal të Zi më 9 shtator.
Të hënën, tetë shtetas të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, janë larguar nga territori i Izraelit, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
“Në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje.
Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas MPJD-së, nga informacionet e deritanishme nuk raportohet se ndonjë shtetas i Kosovës është vrarë apo plagosur gjatë përleshjeve që po vazhdojnë në mes të forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit.
Një ditë më herët, autoritetet në Shqipëri bënë të ditur se 40 shqiptarë, në mesin e tyre dy shtetas të Kosovës, u evakuuan nga Izraeli.



