Sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Mësohet se 55-vjeçarja e ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Apelit nëpërmjet avokates së saj mbrojtëse, ku kërkon masë më të butë sigurie. Ndërkohë, që gjykata nuk ka caktuar ende datën për zhvillimin e kësaj seance.
Kërkesa për lirimin e 55-vjecares është bërë me argumentin se ajo sa ka kaluar COVID-19, dhe nuk është negativizuar ende, ndërkohë që prej disa javësh në vendin tonë nuk bëhet më testi i dytë për negativizimin, dhe periudha e izolimit në rast infektimi me koronavirus është 10 ditë.
Sanitarja akuzohet për “mashtrim më shumë se një herë”, dhe dyshohet në bashkëpunim, por nga materiali referues që policia i ka dërguar prokurorisë nuk rezultojnë ende të zbardhur emra të tjerë.
Tire Alldervishi arriti t’i merrte vajzës së një paciente të prekur nga COVID, rreth 8 milionë lekë të vjetra, me pretendimin se do kujdesej për nënën e saj. Burime thanë se vajza e të ndjerës ka bërë denoncimin në polici, disa orë përpara se të transmetoheshin pamjet në një emision investigativ. Përveç pamjeve të emisionit të transmetuar mbremjen e së martës, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, që konfirmojnë takimin e vajzës me sanitaren.



