
Një 31 vjeçar, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, është arrestuar në një lokal në Laç. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak dhe një sasi kokaine në lokal.
Ndaj 31 vjeçarit me dy mbiemra Amarildo Ndreca (Kola), gjykata e Lezhës kishte dhënë masën “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit K. N. dhe V. T., ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në fshatin Rrilë, më datë 06.03.2024, shtetasin Agron Pukën.
Nga kontrolli fizik i kryer në momentin e ndalimit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, ndërsa gjatë kontrollit në lokalin ku u kap ai, u gjet një pjatë me mbetje të dyshuara të lëndës narkotike Kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 6 shtetasit që shoqëronin në lokal, shtetasin Amarildo Ndreca alias Amarildo Kola, konkretisht për shtetasin P. J., 28 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe për shtetasit M. Ll., 50 vjeç, A. Gj., 23 vjeç, B. Gj., 36 vjeç, A. N. alias A. K., 45 vjeç dhe N. B., 34 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme.



