
Shkon për gjykim me disa ndryshime dosja e termetit në Durrës. Gjyqtarja vendosi të çojë çështjen për gjykim me disa ndryshime. Me kërkesë të mbrojtjes, gjykata pushoi çështjen ndaj ish-kreut të ALUIZNIT Arben Isaku dhe ndryshoi akuzën ndaj Artur Terziut, pronar i lokalit Barons në pallatin në lagjen 6 që u shemb dhe si pasojë e ndërhyrjes në muret e kolonat ndarëse të katit të parë të kthyer në lokal. Për Terziun gjykata pushoi veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, duke zbutur akuzën e prokurorisë ndaj tij. Gjithashtu për shkak të vdekjes, ka pushuar çështja dhe për pronarin e ish-hotel ”Tropikal” në plazhin e Durrësit, Avdulla Osmanin.
Me pranimi i pjesshëm të kërkesës së prokurorisë, përfaqësuar nga prokurorët Madrid Kullolli, Pali Deçolli dhe Edmond Koloshi, çështja kalon për gjykim. Organi i akuzës ka mbërritur në përfundim se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se 18 të akuzuarit kanë konsumuar vepra penale përmes shpërdorimit të detyrës dhe shkeljeve të rregullave, normave e standardeve të ndërtimit duke çuar në vdekjen e personave që humbën jetën gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019. Pas këtij vendimi të Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, në bankën e të akuzuarve, pas caktimit të trupit gjykues dhe datës së fillimit të gjykimit, do të ulen 16 persona nga 18 të akuzuar fillimisht, për t’u përballur me akuzat e prokurorisë.



