Drejtësia shqiptare thuajse ka falur përgjatë 2023 të dyshuarit për mos respektimin e kushteve të sigurisë teknike, për 111 rastet e rënda të ndodhura.
Prokuroria e Përgjithshme në raportin e saj të vitit 2023 ka renditur se veprat penale të cilat lidhen me nenin 289 “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, janë 111.
Nga këto 111 raste të hetuara përfshi edhe vendngjarjet, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në vend vetëm 21 dosje i kanë dërguar në gjykatë me persona të pandehur për shkelje të nenit 289.
48 persona janë marrë të pandehur, 32 prej tyre janë dërguar para togave të zeza dhe në 365 ditët e vitit 2023 janë dënuar vetëm 14 persona.
Pjesa tjetër ose ka marrë pafajësi ose është pushuar akuza ndërsa për një pjesë nga 111 procedimi gjykimet vijojnë.

Krahasuar këtë shifër në % rezulton se as 10 % e procedimeve penale kanë përfunduar me një vendim fajësie edhe pse shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë konsiderohet një krim i rëndë me një marzh dënimi deri në 10 vite burg.
Përkatësisht neni 289 i Kodit Penal thotë “Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet”.



