Një i ri ka përfunduar në prangat e policisë së Vlorës pasi vidhte pjesë automjetesh për t’i shitur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së kallëzimeve nga disa shtetas, për vjedhjen e pjesëve (pasqyrave) të disa automjeteve të parkuara, kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të këtyre rasteve.
Si rezultat i këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. M., 29 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 20 pasqyra të automjeteve të parkuara, në disa lagje, në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit G. M., u gjetën pasqyrat e vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
29-vjeçari dyshohet se është autor edhe i disa rasteve të tjera të vjedhjes së pjesëve të automjeteve. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e këtyre rasteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.



