12 orë negociata dhe ngujim i personave të armatosur ishte bilanci i operacionit “Oroshi”. Ndërsa RENEA arriti të bastisë kullën e ngujimit duke arrestuar ish komandon Erzen Uka dhe shokun e tij Julian Cumraku.
Mëngjesin e 24 nëntorit qetësia e fshatit Orosh, fshatit që është listuar nga qeveria si një ndër 100 fshatrat për investime në agroturizëm do t’i prishej qetësia dhe do të ishte lajmi i parë i kronikës përgjatë gjithë ditës.
Ngujimi i të rinjve në një shtëpi dhe të dyshuar të armatosur do të dërgonte atje repartin special RENEA.
Orë të gjata negociatash, fatmirësisht parandaluan eliminimin fizik të të rinjve të ngujuar në banesë.
Ndërsa pas dorëzimit të tyre dhe prangosjes policia gjeti armë dhe municion luftarak të denjë për një repart ushtarak.
Kallashnikov, pistoleta, granata, fishekë dhe flamuri me mbishkrimet e ISIS u sekuestruan si provë materiale.
Në pranga ranë Erzen Uka njohur si Hamza Uka dhe Julian Çumraku u arrestuan pas 12 orë rezistencë ndaj uniformave blu.
Ndaj tyre gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, ndërsa hetimet vijojnë dhe kjo dosje mund ti kalojë SPAK në rast se gjendet element të një grupi kriminal apo financim terrorizmi.
Policia njoftoi mbrëmjen e 25 nëntorit se “Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë. Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë. Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër. Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea."
Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.
Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi Erzen Uka, kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.



