Policia e Pogradecit ka bërë të ditur se si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas kallëzimeve të disa shtetasve për vjedhje/tentativa për vjedhje në banesat e tyre, në qytetin e Pogradecit, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorët e dyshuar.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit D. K., 32 vjeç dhe N. P., 35 vjeç, të dy banues në Pogradec, gjatë muajit të fundit, kanë bashkëpunuar për të vjedhur pajisje elektroshtëpiake dhe kompjuterike, në 2 banesa, dhe kanë tentuar të vjedhin në një banesë tjetër, në lagjet nr. 1 dhe nr. 2, në Pogradec.
Të arrestuarit paraprakisht i monitoronin banesat ku kryenin vjedhjet, për të hyrë në to, kur nuk kishte banorë.
Punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



