
Erjon Boba, 15-vjeçari që u plagos disa ditë më parë me thikë në zemër gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës, ka ndërruar jetë pas disa ditësh në intubim në Reanimacionin Qendror të Spitalit “Nënë Tereza”.
Gazetari Besmir Pula tha për “MCN Live” se edhe pse i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe qëndroi i intubuar nën kujdesin e mjekëve, plagët e marra kanë qenë tepër të rënda dhe ai nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja tragjike nisi pas një konflikti mes një grupi adoleshentësh në rrjetin social TikTok. 15-vjeçari u godit me thikë më 25 nëntor, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, dhe mbrëmë humbi jetën.
Sipas burimeve spitalore, adoleshenti kishte pësuar dëmtime të shumta, të cilat e rënduan gjendjen e tij shëndetësore.
Pas përkeqësimit të mëtejshëm, ai u transferua në reanimacion, ku u mbajt në intubim.
Por ndërlikimet përfshinin infeksion në mushkëri dhe në tru, si dhe trauma të tjera të shkaktuara nga goditjet që kishte marrë.



