Një 50-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 38-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Keta”, ku, pas njoftimit për një konflikt mes dy shtetasve, njëri prej të cilëve ishte i armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të identifikuar autorët.
Në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas hetimeve paraprake, ai është konfliktuar në ambientet e jashtme të një lokali me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë me një armë zjarri, pistoletë me mulli, të cilën e mbante pa leje.
Pas ngjarjes, 50-vjeçari ka tentuar të largohet, por është kapur menjëherë nga Policia.
Gjatë operacionit u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë me mulli) së bashku me municionin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



