Gjykata e Lartë rrëzoi ditën e sotme rekursin e ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu për masën e sigurisë “arrest me burg”.
Rekursi u bë pasi prej disa muajsh ish-gjyqtarja mbahet e izoluar në burgun e Pojskës në Pogradec, e cila pretendon se është e sëmurë.
Fetahu dyshohet nga SPAK për korrupsion lidhur me dy organizatat kriminale të drejtuara nga vëllezërit Çopja dhe Suel Çela në Elbasan.
Ish-gjyqtarja e cila ndodhet pas hekurave që prej muajit nëntor të vitit 2024, pas hetimeve mbi grupin e Suel Çelës, akuzohet se ka favorizuar dhe ka pasur komunikime me këtë të fundit, duke e favorizuar nëpërmjet detyrës që mbante.
Po ashtu ajo akuzohet se ka konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe ka lidhje me grupin “Çopja”, të cilin e ka favorizuar me vendime gjatë detyrës së saj si gjyqtare.



