
Një 28-vjeçar që vodhi një shumë parash në një banesë dhe më pas tentoi të vidhte në një banesë tjetër, ka përfunduar në prangat e policisë. Ai ishte dënuar më parë për vepra penale në fushat e vjedhjes, narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Në njoftim thuhet:
"Komisariati i Policisë Cërrik, pas marrjes së denoncimit për vjedhjen e një shume parash në një banesë, në fshatin Shushicë, Cërrik, ka organizuar punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Xh. S., 28 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Cërrik.
Ky shtetas dyshohet se mëngjesin e djeshëm, ka vjedhur 420 euro në banesën e një 67-vjeçari. Një pjesë e parave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, pasi ka kryer këtë vjedhje, ka tentuar të vjedhë edhe në një banesë tjetër, në fshatin Shushicë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”.



