
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së, Bekim Jashari, shoqëruar dhe nga Ambasadori i Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angılı, ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pjesëtarët e FSK-së të cilët janë kthyer nga misioni i kërkim-shpëtimit, pas tërmetit që goditi Turqinë.
39 ushtarët janë falënderuar përzemërsisht nga kryeministri Kurti, për angazhimin, sakrificën dhe trimërinë e treguar atje.
Ata u mirëpritën dhe u nderuan me medalje si dëshmi e vëmendjes dhe e mirënjohjes sonë për guximin e treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës.
Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partner, si aleatë dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’ju gjendemi atyre në ndihmë në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çfarë mundeni edhe dini që të shpëtoni jetë, të nxjerrni njerëzit nga rrënojat.
Një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së, të përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9, më 6 shkurt, ishin nisur për në Hatay të Turqisë, për t’i dalë në ndihmë popullit turk dhe institucioneve turke.
Mbarë bota u trondit nga bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, për shkak të tërmetit, ku mbi 46 mijë persona, kanë mbetur të vdekur në total.
Vetëm në Turqi, bilanci aktual ka shkuar në 41 mijë viktima dhe puna kërkimore në shumicën e provincave, është përmbyllur.



