Katër turistë nga Gjermania janë bllokuar ditën e sotme në Qafën e Pejës në Theth pasi ishin duke eksploruar zonën në këmbë.
Raportohet se një prej tyre ka pësuar një dëmtim në këmbë dhe kësisoj e ka pasur të pamundur të vijonte rrugën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Postën e Policisë Theth dhe me shërbimet e emergjencave civile, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e emergjencave civile kanë kontrolluar zonën me helikopter dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve. Turisti i dëmtuar është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore.
Falë punës së mirëorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e 3 turistëve të tjerë nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.
Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.



