
Studentët vijojnë edhe sot protestën para Ministrisë së Arsimit.
Grumbullimi i studentëve nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, për të vijuar më pas para Ministrisë së Arsimit.
"Jo negociata, vetëm plotësim të kushteve! Dhjetori i dytë vazhdon", thuhej në një njoftim të Bashkimit Kombëtar Studentor të shpërndarë të dielën.
Në protestën që hap këtë javë veç pankartave, studentët mbanin në dorë dhe nga një libër.
Pas daljes live në "Facebook" të kryeministrit Rama, i cili i ftoi sërish për dialog, studentët refuzuan çdo ulje në tryezë bisedimesh pa u plotësuar kërkesat që kanë paraqitur.
"Duhet të plotësohen të 8 kërkesat, pastaj ulemi rrugës dhe i diskutojmë. Janë të pangeciueshme. Ne nuk pranojmë të negociojmë në asnjë mënyrë. Nuk duam të marrim premtime të rreme. Sot është pika ku kupa ka nisur të derdhet. Ata nuk deshën dialog kur vendosën tarifat", thonë ata.
Një ditë më parë, kryeministri Rama i ftoi studentët për dialog. Rama ka caktuar orën 111:00 të paradites së sotme për një takim virtual me studentët që protestojnë prej një jave.
Ndërkohë, të martën është paralajmëruar një tjetër protestë masive.



