Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit S.M, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, lidhur me trazirat e majit të viti të kaluar në veri të Kosovës, në Zveçan.
Në një njoftim për media, gjykata tha se e ka pranuar kërkesën e prokurorëve, sepse “nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të arratiset, apo mund t’i ndryshojë provat e veprës penale dhe të ndikojë tek të dyshuarit e tjerë që gjenden të lirë”.
I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet.
Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.



