Për tu bërë drejtues madhor në Policinë e Shtetit dhe kryepolici i burrave e grave në uniformë do duhet të konkurrosh dhe të plotësosh një sërë kriteresh.
Pa kaluar 24 orë nga vendimi i qeverisë shqiptare për të liruar nga detyra kryepolicin Ilir Proda, Ministria e Brendshme ende në detyrë Albana Koçiu ka hapur garën më datë 3 Mars 2026 duke i lënë 8 ditë afat të interesuarve.
Me ndryshimet ligjore, kryepolici apo drejtuesi i qarkut zgjidhet vetëm me konkurs. E në këtë formë do të dalë edhe emri i ri që do të pasojë Prodën.
Por cila janë kriteret për të drejtuar burrat dhe gratë nën uniformën blu?
Referuar njoftimi zyrtar Ministria thotë se kandidati duhet të përmbushë kriteret kryesore:
Të ketë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, shtetësi shqiptare, nuk duhet të ketë dënime penale me vendim të formës së prerë, raporton emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Të mos ketë marrë masa disiplinore të rënda në 5 vitet e fundit. Të jetë në gjendje shëndetësore të përshtatshme. Pa konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
Të interesuarit në radhët e uniformave blu që plotësojnë këto kritere do duhet të bëjnë sëpari Kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm. Po ashtu të dorëzojnë CV të përditësuar.
Platformë personale me objektivat si dhe Vetëdeklarime për integritetin, konfliktin e interesit dhe masat disiplinore.
Dëshmi gjyqësore jo më e vjetër se 3 muaj. Dokumentacion për përvojën profesionale dhe rezultatet studimore/arsimore.
Vërtetime shëndetësore dhe besueshmërie, të lëshuara jo më herët se 3 muaj. Kopje të notarizuara të titujve akademikë dhe gjuhëve të huaja (nëse ka).
Aplikimet dorëzohen deri më 11 mars 2026, në adresën postare: Ministria e Punëve të Brendshme, Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nd. 1, Tiranë 1001, ose elektronike: Ministria.Brendshme@mb.gov.al
Pas përfundimit të afatit, Komisioni i Posaçëm vlerëson dokumentacionin dhe publikon listën e kandidatëve të pranuar. Kandidatët e përjashtuar do të njoftohen me shkrim.



