
Gjykata e Tiranës jep sot masat e sigurisë për 23 të arrestuarit e protestës së ditëve të fundit, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë zhvillohet ditën e sotme, prej orës 10:00.

Mbrëmjen e së martës, në vend të fjalimeve, protestuesit nisën menjëherë aksionin, duke u grumbulluar në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë. Sipas policisë, kërcënuan perimetrin e sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe lëvizjen e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.
Protestuesit u shoqëruan kur policia po i zhvendoste për të liruar hyrje-daljet dhe ata u ulën në rrugë duke goditur e shtyrë efektivët.
Përplasje pati edhe në komisariatin nr. 3 ku ndodheshin disa protestues.
Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.




