Në dy ditë shtet-rrethim, 704 drejtues mjetesh janë ndëshkuar pasi kanë thyer urdhrin që i ndalonte ato të lëviznin me automjete private në rrugë. 5 shoferë janë arrestuar sepse jo vetëm se po qarkullonin me makinë, në një kohë që është e ndaluar, por ishin në gjendje të dehur, teksa në Shkodër 3 janë proceduar se nuk iu bindën urdhrit të policisë.
93 drejtues mjetesh u shoqëruan në ambientet e Komisariateve të DVP-ve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe këtyre drejtueseve iu bllokuan edhe automjetet.
Ndërkohë, në Tiranë nga Specialistët e Policise Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.M., 32 vjeç, pasi në rrugën " E Kavajës"u kap duke drejtuar automjetin tip "Opel" në kundershtim me Telegramin Nr.2013 date 12.03.2020 si dhe ne gjendje të dehur në masën 1.11 mg/l.
Në Vlorë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. Rr., 31 vjeç, pasi u kap në aksin rrugor “Osman Haxhiu", Vlorë, duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur.
Në Fier, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin E. H., 31 vjeç, pasi në vendin e quajtur "Vija e ngjalës", ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Në Lushnjë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin L. V., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, është kapur duke drejtuar automjetin tip "Opel" në gjendje të dehur.
Ndërsa në Elbasan, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, , pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur, në masën 0.68 mg/l.
Po në vijim të monitorimeve dhe kontrolleve, në Shkodër, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. D., 45 vjeç, , pasi në aksin rrugor Zogu i Parë-Sheshi Parrucë, Shkodër, u kap duke drejtuar mjetin tip Benz, në kundërshtim me urdhrin, si dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë për masën administrative.
Gjithashtu, po gjatë monitorimit, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë̈ së rendit publik”.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë kufizimin e lëvizjes me mjete, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt do përballen me sanksione të përshkallëzuara ligjore sipas normave te përcaktuara ne Kodin Rrugor Shqiptare.



