Në afro tre dekada listën e dëshmitarëve të drejtësisë apo pentitove shqiptare, e dominojnë ata të nëntokës. Me rrëfimet e tyre ata kanë zbardhur ngjarje të rënda dhe kanë cuar pas hekurave bos të krimit, ndërsa ende nuk ka asnjë zyrtarë të lartë të ketë rrëfyer krimin e jakave të bardha.
Nga analiza e rasteve të publikuara në media dhe procese gjyqësore në Shqipëri, rezultojnë të paktën 20 dëshmitarë dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë luajtur rol në zbardhjen e krimeve të rënda dhe aferave kriminale nga fillimi i viteve 2000 deri në vitet e fundit.
Dëshmitë e tyre kanë ndihmuar në hetimin e bandave kriminale, vrasjeve me pagesë, atentateve, trafikut të drogës dhe rasteve të korrupsionit, transmeton emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Petrit Liçi (2004)- Anëtar i Bandës së Lushnjës dhe një nga bashkëpunëtorët e parë të drejtësisë në Shqipëri. Ai rrëfeu për aktivitetin kriminal të grupit të drejtuar nga Aldo Bare, duke zbardhur disa vrasje dhe duke ndihmuar në dënimin e disa anëtarëve të bandës.
Adriatik Coli (2006) – Ish-anëtar i Bandës së Durrësit, i cili bashkëpunoi me drejtësinë dhe dëshmoi për vrasjet dhe aktivitetin kriminal të grupit. Dëshmia e tij ndihmoi në zbardhjen e disa krimeve të rënda të kryera nga banda në Durrës dhe Tiranë gjatë viteve 1998-2005.
Bujar Buzani (2008) – U bë bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin për Masakrën e Cërrikut. Ai rrëfeu organizimin e pritës së marsit 1997 ku u vranë 6 gardistë dhe identifikoi personat e përfshirë në sulm.
Julian Sinanaj (2014) – I njohur si vrasës me pagesë, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin ndaj të ashtuquajturës “banda e tritolit”. Ai rrëfeu për disa atentate dhe vrasje me pagesë të kryera në qytete të ndryshme të vendit.
Ndriçim Gjokona (2014) – Bashkëpunëtor i drejtësisë në të njëjtën dosje me Julian Sinanajn. Ai denoncoi aktivitetin kriminal të grupit dhe rrëfeu për atentate me tritol dhe plane vrasjesh të organizuara nga grupi.
Ylvi Beqja (2016) – Biznesmen dhe dëshmitar i mbrojtur në procesin ndaj Emiljano Shullazit. Ai denoncoi gjobëvënien dhe presionet që, sipas tij, i ishin bërë nga grupi kriminal.
Mikel Shallari (2017) – Autor i vrasjes së ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku. Në vitin 2017 ai pranoi krimin dhe bashkëpunoi me prokurorinë duke zbuluar porositësin e atentatit dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kristi Pine (2017) – U bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke rrëfyer disa krime të kryera me urdhër të Admir Tafilit nga burgu, përfshirë vrasje dhe atentate të organizuara nga grupi kriminal.
Miklar Tola (2017) – Dëshmitar kyç në zbardhjen e vrasjes së Eglantina Bucit në vitin 2012. Ai deklaroi se autorë të krimit ishin babai dhe vëllai i viktimës, duke ndihmuar në rihapjen e hetimeve.
Luftar Reçi (2020) – I dënuar për një vrasje, por më pas u bë bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai dha dëshmi për aktivitetin kriminal të Bandës së Durrësit, duke rihapur hetimet për disa vrasje të vjetra, përfshirë ato të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.
Enver Jamaku (2020) – Pas arrestimit të tij, ai bashkëpunoi me drejtësinë duke rrëfyer për aktivitetin e një grupi kriminal në Tiranë dhe duke ndihmuar në zbulimin e rreth 20 depove me armë.
Elvis Bardhi (2020) – Bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij në Elbasan në vitin 2012. Dëshmia e tij çoi në dënimin e Ardian dhe Florenc Çapjas.
Ernejt Shyti (2021) – I akuzuar për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në Tiranë, ai pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe dha detaje për porositësit dhe organizimin e atentatit.
Nuredin Dumani (2022) – Një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit. Pas arrestimit në vitin 2022, ai rrëfeu për një seri vrasjesh me pagesë dhe për rrjete kriminale, duke çuar në hetime të gjera në dosjen “Plumbi i Artë”.
Henrik Hoxha (2022) – I arrestuar së bashku me Nuredin Dumanin, ai bashkëpunoi me drejtësinë duke dëshmuar për atentate dhe veprimtari kriminale në të njëjtën dosje.
Erion Alibej (2022) – I përfshirë në konfliktet kriminale të Elbasanit dhe bashkëpunëtor në dosjen e SPAK “Plumbi i Artë”. Ai ka dhënë dëshmi për atentate, trafik droge dhe lidhje mes grupeve kriminale.
Skerdi Tasi (2022) – I përmendur në të njëjtën dosje me bashkëpunëtorët e tjerë si Dumani dhe Alibej, ku ka dhënë dëshmi për aktivitetin kriminal dhe lidhjet mes personave të përfshirë.
Artan (Albert) Tafani (2023) – Ish-anëtar i bandës së Laert Haxhiut. Pas arrestimit në vitin 2023 u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka rrëfyer rreth 17-20 episode kriminale dhe disa vrasje, duke ndihmuar në zbardhjen e strukturës së grupit kriminal.



