Policia e Elbasanit thotë se ka zbardhur djegien e qëllimshme të një automjeti, e cila paraprakisht u dyshua për shkaqe aksidentale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për zbardhjen e rrethanave të djegies së një automjeti në lagjen “Aqif Pasha”, më datë 23 janar, që fillimisht u dyshua aksidentale, bazuar në provat e administruara dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The last fire”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Gerti Mustafa, 36 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për disa vepra penale.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 36-vjeçari, më datë 23 janar, gjatë natës, në lagjen “Aqif Pasha”, për motive të dobëta, ka djegur me benzinë, një automjet të parkuar, në pronësi të shtetasit S. M.
Nga përhapja e flakëve u dogj pjesërisht dhe një automjet tjetër i parkuar aty pranë.



