
Një 36-vjeçare, banuese në Texas, SHBA, është gjetur pa shenja jete pasditen e së mërkurës në ambientet e një hosteli në Shkodër, ku qëndronte me qira. Ajo është konstatuar nga nëna e saj, e cila ka njoftuar edhe Policinë e Shkodrës.
Nga veprimet paraprake, mësohet se në trupin e 36-vjeçares nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se shkak për vdekjen të jetë bërë një mbidozë ilaçesh.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:00, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim se në lagjen "Tre Heronjtë", në hostelin ku banonte me qira, është gjetur nga nëna e saj, pa shenja jete, shtetasja A. N., 36 vjeçe, banuese në Texas, SHBA.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga këqyrja paraprake e trupit të 36-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja A. N. ka humbur jetën, për shkak të një mbidoze ilaçesh.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.



