Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Check Point”, bazuar në informacione të siguruara nga inteligjenca policore.
Gjatë operacionit, në rrugën “Ali Demi”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. K. dhe pasagjer shtetasin J. K.
Gjatë kontrollit fizik dhe më tej të banesës së shtetasit K. K. iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, një sasi prej 304 gram lëndë narkotike kokainë, rreth 131 tableta ekstazi, 3 peshore elektronike si dhe pjesë arme.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit:
K. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
J. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit’.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



