
Kryeprokurorja Arta Marku ka pezulluar nga detyra dy prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina. Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi dhe bashkëshorti i saj Dritan Gina, janë marrë si të pandehur për akuzën e refuzimit për deklarim, fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë të pasurisë nga Prokuroria e Durrësit.
Pezullimi i tyre nga detyra do të vijojë deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit të çështjes.
Rovena Gashi ishte ndër të parat që u largua nga Prokuroria e Përgjithshme pas marrjes së detyrës nga ana e kryeprokurores Arta Marku. Menjëherë pas saj, edhe bashkëshorti i zonjës Gashi, Dritan Gina, u largua nga detyra e kryeprokurorit të komenduar të qarkut të Elbasanit, duke u lënë në pozicionin e prokurorit të thjeshtë.
Të dy i refuzuan publikisht këto vendime dhe kërkuan në rrugë ligjore rikthimin në detyrat përkatëse. Por në të dyja rastet, gjykatat kanë lënë në fuqi vendimin e kryeprokurores Marku.



