
Dy ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin përfundimtar për drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, duke e konfirmuar atë në detyrë.
Në përfundim të verifikimeve të bëra në lidhje me një denoncim për pagën në “të zezë” të bashkëshortit të prokurores, dy apartamente të blera me një çmim më të ulët se vlera e tregut, si dhe një hua e marrë nga një i afërm, KPK vlerësoi se nuk kishte elementë për rihapjen e hetimit.
“Verifikimet çuan në përfundimin se deri më tani nuk ka indicie të nevojshme për të çuar në rihapjen e hetimeve”, ishte konluzioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Megjithatë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po e rivlerëson dosjen e Prelës. Interesimit të Tema TV në lidhje me ndonjë ankimim të mundshëm të vendimit të KPK-së në lidhje me këtë rast, ONM-ja iu përgjigj: "Sa i përket kërkesës tuaj, do t’ju luteshim të mbani parasysh se për momentin dosja në fjalë po rishikohet nga ONM-ja dhe nuk mund të bëjmë asnjë koment në lidhje me këtë çështje".



