Disa orë pas ngjarjes së rrëndë që ndodhi në fshatin Garunjas të Lushnjë, Policia ka mundur të vërë në pranga dy nga tre autorët e dyshuar. Burime nga policia bëjnë të ditur se vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të tretë të dyshuar, ndërsa janë arrestuar shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
“Strukturat hetimore të DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tyre është bërë për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, ku viktimë mbeti një 30-vjeçar dhe u plagosen dy vëllezërit dhe babai i tij. Autorët e dyshuar dhe viktima janë kushërinj me njëri-tjetrin.



