
Policia e Elbasanit ka njoftuar se ka parandaluar një përshkallëzim të konfliktit në familje pasi ka arrestuar një 29-vjeçar i cili dhunonte familjarët e tij.
Ndërhyrja në banesën e tij ka ardhur pas njoftimit se i riu ushtronte dhunë ndaj familjarëve, ndërsa brenda shtëpisë iu gjet edhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin Leonard Zhupani, 29 vjeç, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", pasi ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.



