
Një 27-vjeçar nga Laçi është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi prej kohësh kërcënonte me thikë qytetarë të ndryshëm në Tiranë dhe u vidhte atyre sende me vlerë dhe para. Në një njoftim për mediat, policia bën të ditur se 27-vjeçari është arrestuar pasi janë dokumentuar 3 raste të vjedhjes me dhunë dhe tentativës për vjedhje të sendeve me vlerë.
I riu me iniciale T. S. banues në Laç është kapur në flagrancë nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, mbrëmjen e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta” duke tentuar të vjedhë me dhunë sendet me vlerë një qytetareje.
"Nga hetimet e kryera dhe pronat e siguruara pas arrestimit, rezulton se 27-vjeçari është autor edhe i dy ngjarjeve të tjera, “i vjedhjes me dhunë nën kërcënimin e thikës të një shume parash dhe disa sendeve me vlerë të shtetases E. I dhe tentativës së vjedhjes së sendeve me vlerë të shtetases M. H”, sqaron policia.



