Një person i cili vodhi gjatë natës një makinë dhe lëvizte me të pa leje drejtimi, është vënë në prangat e policisë së Elbasanit.
Pas kallëzimit të Sh. K., 60 vjeç, se gjatë natës, në lagjen “28 Nëntori”, i kishin vjedhur automjetin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, E. B., 19 vjeç, banues në Elbasan, i cili u kap nga shërbimet e policisë teksa qarkullonte me automjetin e vjedhur, pa leje drejtimi.
Automjeti i vjedhur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Elbasan për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.



