Policia Kufitare në Morinë ka finalizuar operacionin e koduar “JAD 1”, që çoi në kapjen e dy personave të dyshuar për trafikimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve motorike.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, u arrestua M. P., 38 vjeç, banues në Prishtinë, i cili tentoi të trafikonte në Shqipëri një armë zjarri të fshehur në një automjet tip BMW, i vjedhur më parë në Gjermani. Gjatë kontrollit, u sekuestrua pistoleta me municion luftarak, automjeti BMW dhe një rimorkio që shërbente për transportin e tij.
Në vijim të hetimeve, u identifikua dhe arrestua edhe H. A., 34 vjeç, gjithashtu nga Prishtina, i cili kishte porositur trafikimin e armës dhe automjetit. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Kukësit për veprime të mëtejshme ligjore.
Operacioni u realizua pas kontrolleve të detajuara dhe analizave të riskut në hyrje-daljet e Shqipërisë, duke garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar të Policisë Kufitare.



