
Një shqiptar është arrestuar në Modena të Italisë, pasi në makinë iu gjet një sasi prej 6.7 kg kokainë e pastër. Lënda narkotike me vlerë 1 milion euro u zbulua krejt rastësisht gjatë një kontrolli rutinë.
Mediat italiane raportojnë se një 34-vjeçar shqiptar u ndalua rreth orës 04:00 të mëngjesit në segmentin rrugor që lidh Modenën e veriut me atë të jugut. Pas kontrollit të dokumentacionit të automjetit, karabinierët vunë re mangësi në shlyerjen e detyrimeve fiskale. 34-vjeçari u shfaq i nervozuar dhe kjo u la vend karabinierëve për dyshime. Ata vunë re një modifikim që i ishte bërë mjetit në pjesën e poshtme të tapicerisë dhe vendosën ta çonin për kontroll në rajon, ku u zbuluan 6 pako me peshë 6.7 kg kokainë e pastër.
I arrestuari, banues në Treviso, rezulton i padënuar më parë. Makina rezultonte në pronësi të nënës së tij. Policia dyshon se ai është thjesht një korrier. Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e lëndës narkotike.



