Me qëllim parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore vijon kontrollet me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, në të gjitha rrugët e vendit.
Si rezultat i kontrolleve të kombinuara nga Policia Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 33 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia njofton se janë pezulluar 176 leje drejtimi, nga këto 111 për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në 214 km/h në Bypass-in e Fierit, 60 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 4123 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.



