Kapiteneria e Portit Durrës ka koordinuar gjatë natës një operacion emergjent për evakuimin mjekësor të një shtetasi anglez nga kroçiera “Marbella Explorer II”, rreth 20 milje larg brigjeve të Durrësit.
Sipas burimeve zyrtare, në orën 23:50 Kapiteneria mori një thirrje për ndihmë nga kroçiera, e cila po lundronte në itinerarin Korfuz- Kotor. Në bord ndodhej një pasagjer anglez me simptoma të rënda shëndetësore, që kërkonte ndërhyrje urgjente mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së sinjalit, Kapiteneria e Portit Durrës udhëzoi kroçierën të afrohej në radën e portit, ndërsa u vunë në dijeni autoritetet përkatëse dhe rimorkiatori “Joni” i Autoritetit Sistemit të Dokeve dhe Hidrovoreve (ASHD), për të bërë të mundur transportimin e të sëmurit drejt tokës.
Paralelisht u angazhua edhe ambulanca për shoqërimin e pacientit drejt Spitalit Rajonal të Durrësit. Në orën 02:30, shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në operacionin e koordinuar morën pjesë rimorkiatori “Joni” me ekuipazhin e tij, Forca e Sigurisë Portuale (FSPD), Policia Kufitare, si dhe oficerët dhe Kapiteni i Portit Durrës.



