
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka miratuar masat e sigurisë 'arrest me burg' për 5 të akuzuarit për laboratorin e kokainës që u zbulua në Frakull të Fierit dy muaj më parë.
Bëhet fjalë për të akuzuarit e identifikuar me emrat Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Klajdi Vrioni, Redin Meshi dhe Julian Malaj të cilët do të vijojnë të qëndrojnë prapa hekurave.
Në apel u shqyrtua kërkesa për ndryshim mase vetëm për 5 nga të akuzuarit, pasi pjesa tjetër e të arrestuarve nuk paraqitën ankimim.
5 nga të akuzuarit që u lanë në burg nga apeli i GJKKO-së, kanë kërkuar masë më të butë sigurie ose atë të burgut me afat deri në daljen e përgjigjeve të analizave, pasi para trupës gjykuese janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni për kokainën.
Laboratori u zbulua, përmes një operacioni të DEA-s Amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze.
Më 24 nëntor të vitit 2022 u kapën 430 kg kokainë gjatë një operacioni të SPAK në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Droga ishte tretur në thasë me pleh kimik, me një ngarkesë totale 24 ton bashkë me kokainën që do veçohej në një laborator në Shqipëri.
Nw laboratorin e drogës në Fier u sekuestruan edhe 430 kg kokainë, që nëse do të dilte në treg do të kushtonte 40 mln euro.
Në pranga ranë ish-kryetari i Komunës Frakull Viktor Çervanaku, në shtëpinë e të cilit u gjetën thasët me pleh dhe kokainë.
Po ashtu, të arrestuar janë dhe djali i tij Denilson Çervanaku dhe e fejuara e tij, Enxhi Ferhati.



